E ardhmja e Ledian Memushaj është në udhëkryq…

Sport

Papritmas, e ardhmja e Ledian Memushaj është në udhëkryq. Megjithëse mesfushori shqiptar është përfshirë në fazën përgatitore të verës me Pescaran, mësohet se klubi italian dëshiron ta shesë këtë verë, në mënyrë që të përfitojë dicka nga transferimi i tij. Tek të ashtuquajturit “delfinë”, Memushaj përfiton 500 mijë euro në sezon dhe Peskara, skuadër e cila nuk arriti të ngjitet në Serie A, ka si synim që të sistemojë diku tjetër mesfushorin shqiptar, që e mbylli sezonin si titullar i padiskutueshëm.
Mirëpo deri tani mësohet se ka vetëm një skuadër që është e interesuar për Memushaj.

Salernitana, që po ashtu bën pjesë në kampionatin e Serisë B, është interesuar për shërbimet e Memushajt. Megjithatë, klubi në pronësi të Claudio Lotitos, ku për merkaton operon edhe drejtori i Lacios, shqiptari Igli Tare, nuk preferon t’i paguajë asnjë qindarkë Peskaras për vlonjati. Thjesht kërkon ta transferojë futbollistin kuqezi me parametër zero. Memushaj ka dhe një vit kontratë me Peskarën, prandaj në rast se klubi dhe futbollisti shqiptar shkëpusin kontratën me konsensus, atëherë do të shkonte te Salernitana. Megjithatë, ka edhe një problem tjetër. Memushaj kërkon pagë të njejtë edhe te ekipi i ri, gjë që nuk i është premtuar nga Tare, duke pasur parasysh moshën 32-vjecare që ka mesfushori. Por edhe faktin se Salernitana nuk lufton për objektiva madhorë. Në këto kushte, Memushaj mund të vlerësojë si alternativë më të mirë qëndrimin te Peskara, aty ku gjithsesi me shumë gjasa nuk do të ketë minutat e sezonit të shkuar.