F1, Mercedes është më e shpejtë në vijat e drejta, Red Bull beson tek gara e Hungarisë

Sport

Mercedes vijon dominimin edhe në këtë sezon të ri të ‘Formula 1’, me Bottas e Hamilton që fituan dy garat e para të zhvilluara në pistën e Spielbeg në Austri. Kampionët në fuqi të botës madje duken të jenë edhe më të shpejtë se sezonin e kaluar, duke bërë që diferencat me rivalët e tyre të rriten. Ajo që është vënë re në dy garat e para, është fakti se Mercedes tani është makina më e shpejtë në vijat e drejta, diçka me të cilën deri në sezonin e kaluar, krenohej Ferrari. Max Verstappen vuri theksin pikërisht tek vijat e drejtat pas përfundmit të garës së dytë, kur u shpreh se makina e tij ishte thjesht shumë e ngadaltë për të ruajtur ritmin e Mercedes. Megjithatë, për momentin skuadra ‘Red Bull’ duket të jetë e vetmja që mund të provojë t’i shkaktojë probleme Mercedesit. Kjo, edhe prej faktit se Ferrari deri më tani është dukur si një skuadër e mesit të tabelës, me markën italiane që fillimisht duhet të zgjidhë problemet e brendshme, për të mos përmendur faktin se njëvendëshja e tyre është edhe më e ngadaltë se ajo e sezonit të kaluar. Sa i përket ‘Red Bull’-it, drejtori i skuadrës austriake, Christian Horner, e di shumë mirë se nëse kërkon që të rivalizojë deri në fund me Mercedesin, atëherë duhet të arrijnë ritmin e Hamilton e Bottas sa më shpejt të jetë e mundur. Horner është i bindur se në garën e radhës, në Hungari, makinat e Verstappen dhe të Albon do të jenë gati për të provuar se Mercedes e ka vërtet një rival për këtë sezon.