Liverpool, Mungesa e golave për Firminon, Klopp thotë se nuk ka asnjë problem

Sport

Ndërkohë që Merseyside duket të jetë ende e hutuar nga festa e titullit të Liverpool, teksa afrohet fundi i  ‘Premier League’-ës, skuadrat fillojnë të bëjnë analizat dhe bilancet e sezonit të tyre. Një fakt interesant tek kampionët e saposhpallur të Anglisë është ai i mungesës së golave tek sulmuesi i tyre kryesor. Bëhet fjalë për Roberto Firminon, që gjatë 2019/2020-ës në ‘Premier League’ numëron vetëm 8 gola të realizuar. Madje në ‘Anfield’, Firmino nuk shënon një gol në kampionatin anglez prej më shumë se 1 viti. Por ky nuk duket të jetë një problem i madh në radhët e ‘the reds’. Të paktën këtë ka lënë të kuptohet trajneri Jurgen Klopp, i cili u shpreh kontributi që braziliani jep në fushën e lojës është i pakrahasueshëm dhe se ai apo drejtuesit e tjerë tek Liverpool-i, nuk e masin vlerën e sulmuesit vetëm me numrin e golave të realizuar. Klopp madje tha se mediat gabojnë kur thonë se mungesa e golave po kthehet në një problem psikologjik për Firminon, pasi nëse do të ishte kështu, atëherë braziliani nuk do të paraqitej mirë në fushën e lojës. Veç 8 golave, Roberto Firmino ka shërbyer edhe 7 asiste për shokët e skuadrës në 35 ndeshje të zhvilluara gjatë këtij sezoni të ‘Premier League’-ës, duke provuar sërish se është një element shumë i rëndësishëm për taktikat e trajnerit Jurgen Klopp. Pavarësisht formës jo shumë të mirë sa i përket realizimeve të golave, braziliani mbetet një ndër sulmuesit më të vlerësuar në futbollin elitar, me vlerën e kartonit të tij që llogaritet në 72 milionë euro.