F1, Sainz mendon se Ferrari ende nuk është përmirësuar, pavarësisht triumfit në Singapor

Sport

Ferrari mori fitoren e parë sezonale në Singapor, me Carlos Sainz që ia doli të menaxhotne si duhet Ferrarin e tij në xhirot e fundit, duke e mbyllur përpara Lando Norris e Leëis Hamilton. Piloti spanjoll u paraqit mjaft mirë përgjatë gjithë fundjavës në cirkuitin e Marina Bay, duke konkretizuar gjithçka me triumfin për ‘Çmimin e Madh’, ndryshe nga shoku i tij i skuadrës, Charles Leclerc, i cili e mbylli i katërti. Mirëpo vetë Sainz ende nuk është i bindur për potencialin e Ferrarit në këtë sezon, pavarësisht suksesit të arritur në Singapor. Sipas spanjollit, makina e tij vijon të ketë të njëjtat pika të dobëta si në pjesën e parë të sezonit. Pista si ajo në Itali dhe Singapor përshtatet mjaft mirë me makinën e markës italiane, çfarë i ka ndihmuar edhe Sainz e Leclerc të arrijnë rezultate pozitive. Nga ana tjetër, në ato pista që cilësohen si më shumë teknike, si Zandvoort në Holandë apo Silverstone në Britaninë e Madhe, e komplikojnë punën për dyshen e Ferrarit. Për këtë arsye, Sainz refuzoi të thoshte se Ferrari ka bërë përmirësime të mëdha në makinë në krahasim me pjesën e parë të sezonit. Spanjolli u shpreh ai dhe skuadra e tij duhet të vijojnë punën për të zgjidhur këto probleme, në mënyrë që të ulin diferencën me rivalët e ‘Red Bull’, Mercedes apo McLaren. Sigurisht që triumfi i arritur në Singapor e motivon një si Sainz të kërkojë edhe më shumë nga vetja, teksa nuk e mohoi se është duke menduar që tani edhe për sezonin e ardhshëm. Drejtuesit e Ferrarit po përpiqen të ecin përpara me përgatitjet për 2024-ën dhe për këtë flitet se do të planifikohen edhe disa teste të tjera shtesë, në krahasim me vitet e kaluara. Carlos Sainz gjendet në vendin e pestë të renditjes së përgjithshme për pilotë, me 142 pikë, 19 më shumë se sa ndjekësi më i afërt, shoku i tij i skuadrës, Charles Leclerc.