F1, Vettel zbulon tre problemet e Ferrarit pas Spanjës

Sport

vetttttel
Ferrari përjetoi fundjavën më negative të sezonit në “Formula 1”, në “Çmimin e Madh” të Spanjës. Skuderia italiane pa Raikkonen të braktiste garën në gjysmën e saj për shkak të defekteve në motorr, i cili në fakt ishte i sapo ndërruar në makinën e tij. Ndërsa Vettel jo vetëm që humbi duelin me makinat Mercedes, të cilat e mbyllën në vendet e para, por e pa veten të ishte edhe jashtë podiumit për shkak të “pit-stop”-it për ndërrimin e gomave.
Tashmë me një diferencë prej 17 pikësh me Hamilton në klasifikimin e përgjithshëm për pilotë, Vettel ka folur gjatë testeve të lira pas garës në lidhje me problemet e Ferrarit, që në fakt filluan të jepnin shenja që në garën e Azerbajxhanit.

f1 vett
Sipas pilotit gjerman, 3 janë pengesat kryesore që ka hasur Ferrari, të cilat nuk po e lejojne makinën e kuqe të performojë si në garat e para. Fillimisht, Vettel përmend shpejtësinë, duke theksuar se njëvendëshet italiane nuk janë më aq të shpejta sa në 3 garat e para. Së dyti, 30-vjeçari shprehet se gjatë fundjavës në Spanjë, skuadra vuajti konsumimin e gomave, të cilat në fakt kanë ndryshuar nga garat e para, por siç thotë dhe vetë 4 herë kampioni i botës, ndryshimet kanë qenë të njëjta për të gjithë. Ndërsa problemi i tretë për të mbeten qëndrueshmëria. Vettel merr shembull dështimin e motorrit të Raikkonen si rasti konkret që nuk garanton qëndrushmëri dhe vazhdimësi për 2 pilotët e Ferrarit. Skuderia italiane tashmë do të duhet të përballen me këto probleme të evidentuara nga Vettel, në mënyrë që Ferrari të performojë si në garat e para, sepse nga ana tjetër, rivalët e Mercedes kanë filluar “të fluturojnë” sërish.