Ferri që do të gjejë në ‘Olimpik’ nuk tremb Liverpulin, ja pse

Sport

liver pool rom
Një Olimpik i mbushur plot, si rrallë herë. Ndoshta edhe përtej kapacitetit. Po, sepse tifozët verdhekuqë kanë bërë edhe çmenduri, vetëm për të mos humbur mundësinë që të shohin Roma-Liverpul, sfida që besojnë se do t’u sjellë revanshin pas 34 vjetësh nga finalja e humbur me penallti. Edhe kjo është një nga arsyet përse, sonte për anglezët do të jetë ferr. Veç tifozerisë së zjarrtë është i painjorueshëm fakti që deri tani, romanistët nuk kanë pësuar gola në shtëpi, sa i takon Champions League-s. Por mbi të gjitha, Di Francesco dhe skuadra e tij besojnë se mund të përsërisin paraqitjet e bëra brenda në Romë përballë Chelsea-t (në grupe) dhe Barcelonës (në cerekfinale). Duele të fituara të dyja me shifrat 3-0. Aq sa nevojitet edhe sonte kundër Liverpulit, pas një tjetër ndeshjeje perfekte. Në ndihmë, italianëve u vjen gjithashtyu historia, duke ditur që dyert për në finalen e vetme të Ligës së Kampionëve që kanë luajtur deri më sot – atë ’84-s -, ua hapi një sukses 3-0 ndaj Dandi Junaitid, pasi kishin humbur 2-0 në transfertë.

liverpoool rom
Mirëpo, Klopp nga ana tjetër ka paralajmëruar se Liverpuli “nuk është as Barcelona, as Chelsea!”. Dhe duket e qartë se këtë herë do të jetë ndryshe dhe më e vështirë për verdhekuqtë që të arrijë të mbajë të pacenuar portën, përderisa Liverpuli me “3 tenorët” Salah – Mane’- Firmino, mund të gjejë hapësira në kundërsulm për të goditur, duke e vështirësuar përmbysjen e Romës. Shifrat thonë se Reds, jo vetëm janë të pathyer deri tani, por kanë shënuar 18 herë në 5 transfertat e deritanishme evropiane. E madje dolën faqebardhë edhe nga një fushë e vështirë si ajo e Man.Sitit. Vërtet Klopp nuk ka Messin, por krenohet me princin Salah, i cili pa frikë mund të konsiderohet “njeriu i momentit” në Champions League. Mbetet të shihet nëse do të arrijnë ta frenonjë emocionet e kthimit në një stadium dhe përpara një publiku të ndezur si ai i Romës, që deri përpara 1 viti ishin të tijtë.