FIFA u kërkon federatave të mos ndëshkojnë lojtarët që mbajtën parulla për George Floyd

Sport

Lajmi se ‘Federata Gjermane e Futbollit’ po heton rastet kur lojtarët shfaqën fanella me mbishkrime në mbështetje të George Floyd, afrikano-amerikani që u nda nga jeta pas disa veprimeve të gabuara të policisë amerikane, ka ngjallur edhe reagimin e institucionit më të rëndësishëm të futbollit në botë, FIFA. Fundjavën që lamë pas, lojtarë si Marcus Thuram i Monchengladbach, Jadon Sancho dhe Achraf Hakimi të Dortmund, shfaqën mbishkrime në mbështetje të lëvizjes që ka pushtuar dhe ka shkaktuar probleme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të revoltuar për çështjen e George Floyd. Në rregulloren e futbollit gjerman, është e ndaluar që lojtarët të shfaqin mbishkrime, imazhe apo fanella me karakter politik, fetar apo slogane personale. Jadon Sancho u ndëshkua me karton të verdhë, edhe për shkak të heqjes së fanellës, ndërsa tani ‘FIFA’ ka ndërhyrë për t’i kërkuar jo vetëm federatës gjermane, por të gjitha federatave të futbollit, që të mos i ndëshkojnë lojtarët që shfaqin mbishkrime si ato të Sanchos, apo protestat si ato të Thuram. ‘FIFA’ thotë se edhe pse federatat kanë të drejtën për t’i ndëshkuar në bazë të ‘Ligjit të lojës’, ky është një rast i veçantë që kërkon interpretim njerëzor, duke gjetur një zgjidhje më të mirë se sa ndëshkimi i futbollistëve në fjalë. ‘Federata Gjermane e Futbollit’ ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare, por burime pranë saj konfirmojnë se deklaratat e ‘FIFA’-s do të merren në konsideratë, teksa lojtarë si Thuram, Sancho apo Hakimi rrezikojnë të ndëshkohen minimalisht me gjoba të majme.