Finalja e Champions League i jep fund debatit për Topin e Artë, ja kush konsiderohet më i favorizuar

Sport

Triumfi i Real Madrid në Champions League, shuajti përfundimisht edhe një tjetër debat. Fjala është për Topin e Artë, që këtë vit pritet të fitohet nga Karim Benzema. Francezi kishte zhvilluar një sezon të jashtëzakonzhëm edhe përpara se të luhej finalja në Stade de France, mirëpo fakti që tashmë ka në xhep edhe titullin e 5-të Champions League në karrierën e tij, e avantazhon francezin në distancë të theksuar ndaj ndjekësve të tij, si Sadio Mane, apo Mohamed Salah.

Në fakt, I këtij mendimi është edhe një tjetër francez, si Thiery Henry, i cili i ka bërë thirrje revistës France Football, që është edhe prezantuese e Topit të Artë, që të mbyllë edhe votimet për këtë titull individual, sepse çështja tashmë duhet të konsiderohet e mbyllur.

Në sezonin 2021/22, Benzema ka qenë i jashtëzakonshëm, që prej fillimit, e deri në fund. 44 golat dhe 15 asistet e tij në të gjitha kompeticionet, e ndihmuan Realin të fitonte Superkupën e Spanjës, La Ligan dhe në fund titullin e Champions League.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë herë, kriteret e Topit të Artë kanë ndryshuar, bazuar këtu në raportimin e France Football. Vlerësimi mbi futbollistët do merret, duke u bazuar mbi një sezon futbollistik dhe jo mbi një vit kalendarik. Për këtë arsye, këtë herë, Kupa e Botës nuk do merret në konsideratë. Madje, evenimenti i Topit të Artë do organizohet në muajin tetor të këtij viti, përpara se të nisë Botërori.