Granqvist thotë se Suedia nuk do ta ndryshojë mënyrën e lojës kundër Anglisë

Sport

andre

Forca e Suedisë është uniteti në grup, kështu thotë një nga emrat më të spikatur të këtij botërori për skandinavët, sikurse është Andreas Granqvist, autor i dy golave për skuadrën e Andersson. Nordikët e nisën këtë botëror me stigmën e atyre që eliminuan Italinë në fazën “Play-Off”, por edhe pse asnjëherë të kuotuar si favoritë, ata ia dolën të kualifikoheshin nga grupi dhe madje të eliminonin edhe Zvicrën në 1/8-at. Tashmë në çerek-finale Suedia do të luajë kundër Anglisë së Gareth Soutghate, që kërkon suksesin e parë që pas atij të vitit 1966. Kapiteni Andreas Granqvist thekson se për këtë sfidë suedezët nuk do ta ndryshojnë aspak mënyrën e tyre të lojës.

andreas

Përgjithësisht suedezët aplikojnë një lojë difensive. Mbrohen në grup dhe sulmojnë po në grup me faza tranzicioni përgjithësisht jo të shpejta. Përgjithësisht 55-vjecari Jan Olof Andersson ka mundur të gjejë një balancë mes lojtarëve dhe skemës që ai aplikon, 4-4-2. Presioni padiskutim ka qenë i madh, sidoms pas largimit të Zlatan Ibrahimovic, por sikurse thotë Granqvist tashmë Suedia ka gjetur atë që i mungonte, unitetin në grup. “Kjo është mënyra jonë e lojës dhe do mundohemi që me këtë unitet që kemi të vazhdojmë më tej” – ka theksuar kapiteni i suedezëve. Për nordikët ky i Rusisë ishte rikthim pas 2 edicionesh mungesë në botërore. Arritja më e madhe e tyre mbetet titulli nënkampion i vitit 1958.