Grupi H/ Ja kush mund të jenë kundërshtarët e Barcelonës dhe Portos

Sport

Barcelona e ka mbyllur me humbje fazën e grupeve në UEFA Champions League. Të kualifikuar dhe me vendin e parë të siguruar në Grupin H, në ndeshjen e fundit, katalanasit udhëtuan drejt Belgjikës, atje ku u sfiduan me modestët e Antverp dhe u mposhtën me shifrat 3-2. Duke qenë se i kishte plotësuar objektivat, trajneri Xavi Hernandez hodhin në fushë një formacion, të përbërë në shumicën e tij nga lojtarë rezervë, duke u dhënë mundësinë atyre që nuk kishin marrë shumë minuta deri në këtë fazë të sezonit.

Në anën tjetër, pasi kishin pësuar 5 humbje në po kaq ndeshje, një sukses i tillë si ai i të mërkurës mbrëma, do të mbahet mend gjatë për modestët e Antverpit, sepse në librin e tyre të historisë, do të shënohet edhe një fitore ndaj një klubi të madh sikurse është Barcelona.

Me katalanasit që i kishin mbyllur llogaritë me çështjen e kualifikimit që në javën e 5, gara për vendin e dytë mbeti e hapur deri në fund. Për një vend në 16 më të mirat e Europës, Porto dhe Shakhtari u sfiduan mes tyre në “Estadio Do Dragao”, për të mësuar se cila prej tyre do të siguronte biletën për më tej.

Pritej një ndeshje me gola dhe në fakt ashtu rezultoi. Porto fitoi 5-3, duke iu bashkëngjitur kësisoj Barcelonës, si skuadra e dytë e kualifikuar nga Grupi H.

Në kushte si këto, kundërshtarët e mundshëm të Barcelonës në raundin e 1/8-tave janë Copenhagen, PSV, Napoli, Inter, Lazio, PSG dhe Leipzig.

Nga ana tjetër, Porto do të ketë përballë, një nga këto skuadra: Bayern Munich, Arsenal, Real Madrid, Real Sociedad, Atletico Madrid, Borussia Dortmund dhe Manchester City.