Hargreaves beson se Sancho mund të fitojë ‘Topin e Artë’ tek Manchester United

Sport

Jadon Sancho shihet si një nga premtimet më të mëdha të së ardhmes në futbollin elitar. Talenti anglez i Dortmund është një nga lojtarët më të përfolur edhe në merkato, pasi shumë klube të mëdha kërkojnë të kenë shërbimet e një lojtari që edhe pse në moshë të re, ka shfaqur vazhdimësi me paraqitjet e mira në fushën e lojës. Një nga klubet që interesohet më së shumti për Sanchon është Manchester United, që për shumë figura të futbollit anglez, është destinacioni i duhur për talentin 20-vjeçar. Pjesë e kësaj liste është bërë edhe Oëen Hargreaves, i cili shtyn anësorin të mendojë vetëm për një transferim tek ‘djajtë e kuq’. Sipas Hargreaves, Sancho i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë ndër më të mirët në botë, madje ish-mesfushori i Manchester United e liston mes emrave si Rooney dhe Neymar sa i përket talentit dhe asaj që jep në fushë lojtari i Dortmund. Hargreaves është i bindur se nëse Sancho do të luajë për Manchester United në të ardhmen, atëherë me siguri ai do të fitojë edhe çmimin më të rëndësishëm individual në futboll, ‘Topin e Artë’. Duke qenë se Sancho e njeh mjaft mirë ambjentin në futbollin anglez, 20-vjeçari nuk do të ketë problem përshtatjen me skuadrën e drejtuar nga Ole Gunnar Solskjaer, dhe sipas Hargreaves, ai mund të merrte edhe një rol prej lideri në ekip, duke parë situatën aktuale të ‘djajve të kuq’. Me Dortmund, Sancho numëron 31 gola në 91 paraqitje me verdhezinjtë, teksa mbetet edhe një ndër lojtarët që siguron më shumë asiste në kampionatet kryesore të Europës.