Francë, Presidenti i federatës së futbollit kritikon qëndrimin e Aulas

Sport

Mbyllja e sezonit të futbollit në Francë ende vijon të diskutohet e të mbajë gjallë debatet e disa prej presidentëve të klubeve që nuk kanë qenë dakord me këtë vendim. PSG mori titullin në tavolinë, teksa Marseille dhe Rennes siguruan një vend në ‘Champions League’. Por ajo që shkaktoi jo pak bujë ka qenë pozicionimi i Lyon, që për herë të parë nga 1997-a, do të jetë jashtë kompeticioneve europiane. Kjo bëri që presidenti i këtij klubi, Jean Michel Aulas të reagonte ashpër ndaj vendimit të federatës franceze të futbollit, me arsyetimin se Lyon i kishte të gjitha shanset për të qenë pjesë e ‘UEFA Champions League’, ose së paku e ‘Europa League’-ës. Një përgjigje për Aulas ka ardhur së fundmi edhe nga presidenti i federatës franceze, Noel Le Graet, i cili u shpreh se kritikat dhe qëndrimi i Aulas i kanë kaluar të gjitha limitet. Le Graet tha se e kupton faktin që Aulas kërkon të mbrojë interesat e klubit të tij, por njësoj siç kanë bërë edhe presidentët e tjerë të skuadrave të ‘Ligue 1’, edhe ai duhet të pranojë verdiktin që është marrë në kushte aspak të zakonta. Sipas Le Graet, është dëshira e madhe për të luajtur në ‘Champions League’, ajo që shtyn presidentin e Lyon, Aulas të vijojë me kritikat dhe qëndrimin kundër federatës franceze të futbollit. Ai madje zbuloi se e ka telefonuar personalisht numrin 1 të Lyon për të sqaruar situatën, por mesa duket Aulas vijon të ketë rezerva për Le Graet dhe pjesën tjetër të drejtuesve të federatës franceze. Lyon-i e mbylli në vendin e 7 të ‘Ligue 1’ me 40 pikë, ndërkohë që skuadra e drejtuar nga Rudi Garcia vijon të jetë pjesë e fazës së 1/8-ave në ‘Champions League’ dhe do të luajë gjithashtu edhe në finalen e ‘Kupës së Ligës’ në Francë.