Hidhet në Nyon shorti për fazën play-off të Champions League!

Sport

Është hedhur në Nyon të Zvicrës shorti për fazën Play-Off të UEFA Champions League, ku u përcaktuan betejat për biletat e fundit të mbetura për në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube.
Shorti ishte i ndarë me anë të dy rrugëtimeve, ku në njërën anë viheshin përballë skuadrat kampione në ligat respektive dhe në tjetrën viheshin përballë nënkampionët ose skuadrat e kualifikuara në bazë të renditjes. Si rezultat i këtij shorti, fituesi i sfidës Dinamo Zagreb-Ferencvaros do të përballet në Play-Off me fituesin e takimit Maribor-Rosenborg.
Skuadra kampione e Çekisë në vitin e shkuar, Slavia Praha, do të diskutojë vendin e saj në Champions League me fituesin e takimit CFR Cluj- Celtic, me skocezët që vijnë si favoritë. Young Boys do të sfidojë emrin që do të dalë nga përballja Crvena Zvezda-Kobenhavn, ndërsa skuadra fituese e takimit APOEL-Qarabag, do të sfidojë njërën mes Paok dhe Ajax.
Baseli i Taluant Xhakës do të luajë në raundin e tretë kundër austriakëve të LASK Linz, ndërsa në Play-Off do të kenë një përballje të vështirë me njërin mes Club Brugge dhe Dynamo Kiev. Kurse fituesi i sfidës së nxehtë mes Istanbul Basaksehir-Olympiacos do të përballet me skuadrën që do të dalë nga takimi Krasnodar-Porto.
Fillimisht do të zhvillohen takimet e raundit të tretë dhe vetëm më pas do të mësohen zyrtarisht skuadrat që do të luajnë në fazën Play-Off, sfidat e së cilës do të luhen më 20 dhe 21 gusht, ndërsa ato të kthimit 1 javë më pas.