Himni i Champions League buçet në mes të Tiranës

Sport

Himni i Champions Leagues, në mes të Tiranës. Nuk është ëndërr, por dicka e ndodhur realisht, në impiantin më të ri të kryeqytetit “Arena Kombëtare” me rastin e testimit të fonisë së stadiumit. Një video e siguruar nga faqja “VipSport”, shfaq pamje nga stadiumi që po i jepet dora e fundit, si dhe në sfond tingujt e famshëm që shoqërojnë mesjavat futbollistike.

Kështu për disa çaste, melodia e njohur e futbollit më prestigjoz kontinental për klube, ka ushtuar në atë që do të jetë impianti kryesor i mbarë Shqipërisë. Natyrisht me shpresën që të jetë edhe një ogur që një ditë në vitet e ardhshme, pse jo, himni i Champions të oshtijë realisht për një finale të mundshme. Ndonëse për momentin, Federata synon që shumë shpejt të organizojë së paku finalen e Superkupës evropiane, gjë për të cilën ka bërë kërkesë disa herë në UEFA. Ndërkaq, në stadiumin e ri kryeqytetas po bëhen të gjitha testet e mundshëm sa më shumë afron data e inaugurimit të tij që pritet të jetë në fund të tetorit. Por më parë duhet të kalojë testin e UEFA-s ndaj këtë muaj do të provohet që gjithçka punon në perfeksion që të sigurohet që ndeshja me Andorën e sidomos ajo me Francën më 17 nëntor të luhet aty e jo në Elbasan.