Hysaj ka kapur shifrën e 100 ndeshjeve me Napolin

Sport

hysajelsao

Tri pikë të vyera të arritura në fund me përmbysje për Napolin në një ndeshje të vështirë si ajo me Kievon, duke mbajtur 4 pikë distancën nga Juventusi kryesues në Serinë A. Megjithatë, veç suksesit 2-1, Elseid Hysaj ka pasur edhe një tjetër arritje për të festuar të dielën në stadiumin San Paolo. Po, pasi mbrojtësi anësor ka arritur të hyjë në librin e rekordeve të klubit italian. Me praninë e tij në fushë në sfidën ndaj Kievos, mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare arriti shifrën e 100 takimeve në Serinë A për këtë klub.
Shkodrani 23 vjeçar ka luajtur rregullisht me Napolin që nga momenti kur trajneri Mauricio Sarri e mori nga Empoli për të nisur aventurën e re me napoletanët. Aq shumë ka besuar Sarri tek ai, sa brenda 3 vitesh, Hysaj ka kapur shifrën e 100 ndeshjeve në Serinë A me klubin e njohur italian. Hysaj u bë lojtari i 122-të në historinë e Napolit që arrin treshifrorin sa i përket numrit të paraqitjeve në elitën e futbollit italian. Sa i takon këtij sezoni, aktivizimi i së dielës ishte i 40-ti për mbrojtësin, kundrejt 2500 të luajtura vetëm në Serinë A.
Në total, duke llogaritur edhe ndeshjet në Kupën e Italisë dhe ato ndërkombëtare, Hysaj ka zbritur 128 herë në fushë me fanellën e napolitanëve.