Hysaj merr ofertë nga një gjigand europian, por…

Sport

Mbrojtësi i Napolit, Elseid Hysaj, ka deklaruar tashmë se koha e tij te Napoli ka mbaruar, prandaj po kërkon një tjetër skuadër ku të vazhdojë karrierën e tij. Anësori i Kombëtares shqiptare po vlerëson ndërkaq të gjitha ofertat që ka. Emri i shkodranit lakohet së shumti në merkaton e futbollit europian. Teksa interesimi për mbrojtësin shqiptar të krahut të djathtë është vërtet i lartë. “Radio Kiss Kiss”, e afërt me klubin e Napolit, bën me dije se spanjollët e Atletico Madridi kanë depozituar një ofertë zyrtare për shkodranin. Mirëpo presidenti Aurelio De Laurentiis e ka refuzuar menjëherë, pasi nuk e ka bindur. Drejtuesit napoletanë, gjithsesi, mund të hyjnë në negociata, por presin një ofertë të mirë nga ana e madrilenëve. Duket se nga Madridi ka ardhur një telefonatë për agjentin e Hysajt, pikërisht për të transferuar shkodranin në tokën spanjolle. Çka tregon se interesi i Simeones kundrejt lojtarit shqiptar është konkret.


Mirëpo, Hysaj po vëzhgon edhe se çfarë do të bëjë Maurizio Sarrit. Ai intrigohet nga ideja e bashkimit sërish me ish-trajnerin e tij, i cili pritet të lërë Chelsean dhe të marrë drejtimin e Juventusit. Dhe në këtë pikë, bardhezinjtë mund të jenë skuadra e radhës e madhe që do të përfshijë 25-vjeçarin në listën e dëshirave për merkaton verore. “Zonja e Vjetër” pritet të shesë për 50 milionë € mbrojtësin e saj të djathtë Joao Cancelon te Manchester City. Ndërkohë që “Goal.com” raporton se kampionët e Italisë kanë piketuar dy emra: futbollistin e Tottenham, Kieran Trippier, si dhe Hysajn e Napolit. Gjithashtu, edhe Interi përpara disa muajve ka shprehur interes për futbollistin shkodran, i cili mbylli një sezon me shumë polemika për shkak të formë së paqëndrueshme të tij. Mbetet për t’u parë se çfarë do të rezervojë vera për të ardhmen e Hysajt.