Inter, ja ndeshjet që do përcaktojnë të ardhmen e trajnerit Simone Inzaghi

Sport

Nuk kishte ndodhur që prej sezonit 2011/12-të që Interi të pësonte 4 humbje në 8 javët e para. Në këtë rënie të lirë, të gjithë prozhektorët janë drejtuar nga trajneri i skuadrës, Simone Inzaghi, pankina e të cilit është e rrethuar nga presioni i shkarkimit.

Deri më tani, pavarësisht kritikave, e pakënaqësisë nga ana e tifozëve, Inzaghi vazhdon të jetë ende drejtues i anijes zikaltër. Megjithatë, edhe kjo e ka një limit. Sikurse raportojnë mediat përtej detit, klubi i ka vendosur ultimatum 46 vjeçarit.

Dy ndeshjet e radhas do jenë vendimtare për të ardhmen e Inzaghit në krye të stolit të Interit. Një tjetër humbje, do të thotë, se Inzaghi do shkarkohet nga detyra, të cilën e mban që prej 3 qershorit të vitit 2021.

Mirëpo, përveç rezultateve të momentit, Inzaghi nuk ka as fatin me vete. Në dy ndeshjet e radhës, Interi do ketë përballë Barcelonën në Champions League dhe më pas Sassuolon në Serie A.

Sfida ndaj katalanasve në Giuseppe Meaza pritet të jetë një përplasje vendimtare sa i takon çështjes së kualifikimit në Grupin C. Përveçse duhet të fitojë çdo kusht ndaj një kundërshtari aspak komod, Inzaghi ka një tjetër arsye madhore që të ketë dhimbje koke. Të martën mbrëma, Interi nuk do ketë të gatshëm Romelu Lukakun. Gjithashtu, në dyshim është edhe Lautaro Martinez. Që të dy lojtarët janë të dëmtuar dhe vuajnë nga një tërheqje muskulore.

Më pas, në fundjavë, ndeshja ndaj Sassuolos, po ashtu pritet që të jetë e një vështirësie po të lartë. Lukaku mund të rikthehet, por Lautaro mund të mungojë sërish. Skuadra nga Emilia-Romagna dhe ajo zikaltër, renditen përkatësisht në vendin e 8-të dhe të 9-të  me nga 12 pikë të mbledhura. Mirëpo, vlen të theksohet se Sassuolo e këtij sezoni, në 8 javë, e ka mbajtur portën të paprekur në 5 ndeshje. Kjo do të thotë se Interi nuk do e ketë të lehtë për të depërtuar mbrojtjen e ekipit të drejtuar nga Alessio Dionisi.

Pra, pikërisht Barcelona dhe Sassuolo do jenë dy ndeshjet që pritet të vendosin të ardhmen e trajnerint Simone Inzaghi në krye të Interit.