Italia ka lajme të mira për tifozët!

Sport

Italia është drejt hapjes së stadiumeve deri në masën 75%. Lajmin e mirë për rikthimin e tifozëve në tribuna e ka dhënë vetë ministri i shëndetësisë së këtij vendi, Roberto Speranza, i cili në prononcimin e tij për mediat është shprehur se autoritetet po punojnë në drejtim të këtij procesi, e për të mundur që në një të ardhme shumë të afërt, kapacieti të shkojë deri në 100%. Sigurisht që kjo çështje do shkojë edhe në varësi të vijueshmërisë së situatës së Covid 19-të.

Në rast se shkalla e infektueshmërisë do të ulet, diçka që pritshmëritë janë tepër të mëdha, atëherë tifozët do mbushin sërish stadiumet, e koret e tyre do dëgjohen deri në qiell, për të rritur sa më tepër dozat e spektaklit që dhuron sporti më i bukur në botë, futbolli. Në fillim të këtij viti, në Serinë A, stadiumet thuajse u boshatisën, teksa klubet u kushtëzuan për të mos shitur më tepër sesa 5 mijë bileta.

Më pas, situata filloi të ndryshonte me ritme të shpejta, teksa gradualisht numri I të pranishmëve në shkallët e stadiumit filloi të rritej, duke shkuar tanimë afërsisht në masën 50%. Më tej, duke u bazuar këtu edhe në fjalët e ministrit Speranza, shpresa tanimë është që në mars kapaciteti të shkojë në kuotat 75%, teska synimi është që hapja deri në 100% e dyerve të stadiumit, të plotësohet përpara se të përfundojë ky edicion futbollistik.