Juventusi drejt transferimit të një lojtari në merkaton e Janarit

Sport

Juventusi drejt transferimit të një lojtari në merkaton e Janarit. Fjala është për Kalvin Phillips nga Manchester City. Disa prej krerëve më të lartë të klubit torinez kanë udhëtuar drejt Londrës për të folur me agjentin e mesfushorit dhe nga të dhënat e para thuhet se takimi ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Si fillim, vetë lojtari, është pro një lëvizjeje drejt Torinos, çka do t’i mundësonte atij më tepër minuta, e pse jo, një vend titullar në rreshtimin e formacionit të trajnerit Massimiliano Allegri. Po ashtu, edhe klubi i Cityt nuk është kundër kësaj lëvizjeje.

Sikurse bëhet me dije në raportimet e mediave të huaja, bëhet fjalë për një huazim një vetëm për një gjysmë sezoni, me Zonjën e Vjetër që nuk ka të drejtë në blerjen e kartonit të futbollistit, i cili ndonëse u transferua me bujë në radhët e qytetarëve, më tepër se një vit më parë, ende nuk e ka bindur dot trajnerin Pep Guardiola për të luajtuar që nga minuta e parë. Madje, britaniku është shumë rrallë edhe pjesë e lojtarëve që aktivizohen si zëvendësues.

Nga ana tjetër, Juventusi ëshë në gjendje emergjente për mesfushorë. Pas pezullimit të Nicolo Fagiolit për aktivitet me platforma të paligjshme të basteve online, e po ashtu edhe një pezullimi të mundshëm të Paul Pogba, me këtë të fundit, që ka rezultuar pozitiv në testet e dopingut, atëherë situata në mesfushën e Juvetusit është bërë alarmante, e kësisoj ndërhyrja në merkaton e Janarit konsiderohet e pashmangshme.