Reagojnë tifozët e Bayern pas largimit të Hummels

Sport

Mats Hummels do të jetë sërish lojtar i Borussia Dortmund. Marrëveshja mes verdhezinjve dhe Bayern Munich është konfirmuar dhe bavarezët do të përfitojnë plot 38 milionë euro nga largimi i qendërmbrojtësit. Për Hummels do të jetë një rikthim tek skuadra që e lançoi mes më të mirëve të kontinentit në rolin e tij, 30-vjeçari duket se nuk i ka shpëtuar revolucionit që vijon të ndodhë tek skuadra e Bayern. Megjithatë jo të gjithë në Bavari janë të kënaqur me këtë operacion. Shumë tifozë të skuadrës nga Mynihu e kanë quajtur si një lëvizje të gabuar largimin e Hummels, për më tepër tek ata që anë rivalët e drejtpërdrejtë sa i përket titullit kampion. Gjatë sezonit që sapo u mbyll, Hummels tregoi se ishte një vlerë e rëndësishme për Bayern.

Qendërmbrojtësi ishte fillimisht zgjedhje e dytë për trajnerin Niko Kovac, me Bayernin që në atë periudhë nuk funksiononte siç duhet. Në pjesën e dytë të sezonit, Hummels rimori vendin e titullarit dhe ishte një faktor i rëndësishëm në përmbysjen e renditjes dhe arritjen e titullit kampion. Dortmund nga ana tjetër do të ketë pjesë të saj nga sezoni i ardhshëm një lojtar që do i japë formacionit të Lucien Favre atë që i mungonte më së shumti, pikërisht eksperiencën. Tek Bayerni ndërkohë janë vënë menjëherë në kërkim të alternativave për të zëvendësuar Hummels dhe së fundmi po përflitet për talentin e Stuttgart, Ozan Kabak, për të cilin interesohet prej kohësh edhe Milani.