Çfarë po ndodh me Manchester United?

Sport

Forma e dobët e Manchester United këtë sezon nuk i është faturuar vetëm trajnerit, por edhe lojtarëve që kjo skuadër ka në përbërje. Një prej tyre është Harry Maguire, i cili mban në krah edhe shiritin e kapitenit. Thuajse në çdo ndeshje ku United nuk merr dot rezultat maksimal, mbrojtësi i qendrës kryqëzohet nga kritikat.

E njëjta gjë ndodhi edhe në javën e 28 të Premier League, në derbin e Manchesterit ndaj Cityt, aty ku të besuarit e Ralf Rangnick u mposhtën me shifrat 4-1 në Etihad. Në këtë mënyrë, United diskuton pjesëmarrjen në Champions League edicionin e ardhshëm dhe këtë ecuri, nuk e ka përtypur dot një prej legjendave të klubit dhe ai është Dimitar Berbatov. Ish-sulmuesi nuk është aspak i kënaqur me mënyrën sesi luajnë 20 herë kampionët e Anglisë, pasi i konsideron ata pa një plan konkret kur zbresin në fushën e lojës, ndërsa nga lojtarët kërkon që të marrim më tepër përgjegjësi mbi vete.

Më tej, bullgari ka përmendur edhe Harry Maguire, për të cilin nuk është kursyer aspak, duke shkuar deri aty saqë kërkon që anglezi të mos jetë më kapiten i ekipit.

“Maguire mund të performojë më mirë dhe ai e di këtë. Gabimet e tij po dëmtojnë edhe pjesën tjetër të skuadrës. Kur ndodhesh nën presion, sigurisht që nuk është aspak e lehtë, pork jo është fatura që duhettë paguash kur je pjesë e një klubi të madh. Mendoj se Ralf Rangnick duhet t’I heqë shiritin e kapitenit dhe t’i japë dikujt tjetër një mundësi për ta bërë më mirë këtë detyrë”, janë fjalët e Berbatov.