Interi mund të marrë frymë lirisht!

Sport

Lajme të mira për ekipin e Inter! Nuk ka probleme serioze për Marcelo Brozoviç. Në takimin e kthimit ndaj Liverpool, kroati u detyrua të dilte nga fusha e lojës, për shkak të një shqetësimi në pulpë. Zikaltërit u eliminuan nga Champions League, mirëpo pasojat u menduan për në Serinë A, aty ku kampionët në fuqi renditen mes pretendentëve për të mbrojtur titullin këtë sezon futbollistik.

Megjithatë, nga ekzaminimet përkatëse, vetë klubi në kanalin zyrtar ka bërë me dije se analizat e mesfushorit kanë dalë negative. Kjo do të thotë se lojtari nuk ka asgjë serioze dhe në ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Torinos, pritet të jetë në fushën e lojës. Kroati është një ndër shtyllat kryesore të formacionit të Simone Inzaghit dhe më herët, pa të në fushë, skuadra ka treguar se nuk funksionon shumë mirë.

Mirëpo, në transfertën e javës së 29-të, kampionët në fuqi të elitës së futbollit italian, nuk do kenë të gatshëm mbrojtësin e qendrës Stefan De  Vrij. Hollandezi nuk ka mundur të riaftësohet dot, e do të jetë jashtë fushës së lojës, të paktën edhe për 10 ditët e ardhshme. Shtatlarti i prapavijës zikaltër vuan nga një tërheqje muskulore në këmbën e majtë, teksa mund të zëvendësohet nga D’Ambrosio, Dimarco, apo edhe Ranochia.