Juventusi kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës

Sport

Juventusi kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Në çerekfinale, Zonja e Vjetër ka mposhtur me rezultatin e thellë 4-0 skuadrën e Frosinones, duke u bërë kësisoj pjesë e raundit të 4 ekipeve më të mira të kompeticionit për këtë sezon. Bashkë me Juventusin, në gjysmëfinale janë kualifikuar gjithashtu edhe Lazio, Fiorentina dhe Atalanta.

Gjithësesi, për t’u rikthyer në duelin me Frosinonen, vlen të theksohet paraqitja pozitive e Arkadush Milik, me sulmuesin, i cili arriti të realizonte 3 gola, ndërsa një tjetër u shënua nga djaloshi i talentuar turk, Kenan Yildiz.

Vlen të theksohet se Milik është lojtari i parë i Juventusit që prej vitit 2006 që arrin të shënojë 3 gola në një ndeshje Kupe, atëherë kur Alessandro Del Piero realizonte tregolësh përballë Fiorentinës.

Dueli i të Enjtes mbrëma ishte i një rëndësie të veçantë edhe për trajnerin e Zonjës së Vjetër, Massimiliano Allegri, për të cilin ishte ndeshja e 400 në stolin e Juventusit. Përpara tij në këtë aspekt qëndrojnë vetëm Lippi me 405 dhe Trapattoni me 596 ndeshje.

Në gjysmëfinale, Juventusi do të luajë me Lazion dhe ndryshe nga raundet paraardhëse, këtë herë, do të ketë sistem vajtje-ardhje. Pra, me dy ndeshje. Dueli i parë do të luhet në fushën e Lazios, kurse ai i kthimit në Torino.

Kupa është një objektiv i rëndësishëm i Juventusit për këtë sezon, diçka që është konfirmuar edhe nga trajneri Massimiliano Allegri.