Kampioni i botës, pjesë e Bayern Munich!

Sport

bayern
Vetëm 1 javë më parë, presidenti i Bayern, Uli Hoeness paralajmëroi se skuadra bavareze do të jetë ndër klubet më aktive në merkato dhe se kampionët në fuqi të Gjermanisë do pësojnë ndryshime të mëdha. Fjalët janë pasuar nga veprimet, teksa është konfirmuar marrëveshja me Atletico Madrid për mbrojtësin kampion të botës, Lucas Hernandez. 23-vjeçari në fakt ishte përfolur prej kohësh si objektiv i Bayern, por për kartonin e francezit ishin interesuar edhe skuadra si Manchester City apo PSG. Por bavarezët ia kanë dalë të mbyllin gjithçka për një shifër prej 80 milionë eurosh. Kjo do të jetë edhe blerja më e shtrenjtë e historisë së Bayern Munich, por pas fjalëve të Uli Hoeness, nuk do të ishte çudi që ky rekord të thyhej sërish brenda merkatos së ardhshme.

1045308622.jpg.0

Lucas Hernandez është blerja e dytë e Bayern ende pa u hapur afati i transferimeve, pasi që në janar drejtuesit e skuadrës gjermane zyrtarizuan edhe blerjen e një tjetër mbrojtësi kampion bote si Benjamin Pavard, për të cilin u paguan 35 milionë euro në arkat e Stuttgart. Në këtë mënyrë dy krahët e mbrojtjes së Bayern për sezonin e ardhshëm janë konsoliduar me dy nga talentet më premtues në qarkullim, të dy kampionë bote me Francën. Lucas Hernandez është një lojtar i formuar në akademinë e Atletico Madrid, që ka dalë mjaft e fituar në bastin për t’i besuar aftësive të anësorit francez. Sipas mediave gjermane tani objektiv i Bayern do të jetë edhe përforcimi i mesfushës, teksa çështja James Rodriguez mbetet ende në diskutim.