Kombëtarja, humbja e radhës na kthen vite prapa

Sport

komb
Përsëri të turpëruar përmes rezultateve të thella, siç nuk ndodhte prej kohësh. Humbja e Kombëtares shqiptare ndaj Ukrainës me shifrat 1-4 në Evian, e ka kthyer përfaqësuesen kuqezi të futbollit shumë vite prapa. Jo vetëm lojë e dobët, me mungesë grinte dhe pa ide, por edhe skuadër që… “fut ujë” nga çdo anë. Në emra, mbrojtja vijon të jetë pak a shumë ajo që ishte edhe me De Biazin. Mirëpo duket se me italianin tjetër, Panuccin, ka humbur soliditetin. Mjafton të përmendësh faktin se herën e fundit që Kombëtarja pësonte 4 gola ishte ndeshja e 21 qershorit të vitit 2011. Bëhej fjalë për një miqësore kundër Argjentinës, që u fitua 4-0 nga Messi me shokë. ishte një ndeshje ku Shqipëria u besoi futbollistëve të kampionatit shqiptar edhe pse ndaj një kundërshtari me nivel të lartë.

kombetarja

Kjo humbje e radhës në epokën Panucci është vërtet alarmante për trajnerin, i cili duhet të lërë mënjanë për disa kohë idenë e një ekipi sulmues. Ai në radhë të parë, pastaj edhe lojtarët duhet të marrin masa për një reflektim sa më të shpejtë. E sidomos tekniku duhet të fiksojë formacionin më rezultativ, pasi në 8 takime që ka drejtuar kuqezinjtë, ka hedhur në fushë gjithmonë 11-she të ndryshme. Aq sa askush nuk e di të thotë se cila është skuadra e vërtetë kuqezi. Më 9 shtator do të fillojë Kupa e Kombeve, ku Shqipëria do të ndeshjet me Izraelin në ‘Loro Boriçi’. Por në një situatë është e vështirë të jesh optimist. Megjithëse vetë tekniku në një intervistë të dhënë për faqen e Federatës Shqiptare të Futbollit, ka thënë se gjithçka do të jetë ndryshe kur të kthehen lojtarët e rëndësishëm. Faktikisht lojtarë të tillë sidomos në mbrojtje, nuk është se priten shumë. Sa i takon prapavijës, ndoshta thjesht duhen gjetur lojtarët e duhur, ata më në formë.