LeBron James kalon Michael Jordan, bëhet shënuesi i katërt më i mirë!

Sport

LeBron James
LeBron James nuk mundi t’i japë fitoren skuadrës së Los Angeles Lakers në sfidën me Denver Nuggets, por ‘mbreti’ i kalifornianëve mund t’i gëzohet një tjetër arritjeje të madhe të karrierës së tij. Me 27 pikët e shënuara ndaj Nuggets, James u bë lojtari i katërt që ka shënuar më shumë në historinë e NBA. Ai madje parakalon në këtë statistikë atë që cilësohet si më i miri i të gjitha kohërave në këtë sport, Michael Jordan. Në 16 sezonet e tij James llogarit tashmë 32 311 pikë, 19 më shumë se Jordan, që i ka arritur rekordet e tij në 15 sezone të luajtura. Përpara LeBron James tani mbeten vetëm 3 emrat të mëdhenj të këtij sporti si Kobe Bryant, Karl Malon dhe Kaeem Abdul-Jabbar, me këtë të fundit që kryeson listën e pikëve me 38 387.

James 1095672

Një tjetër arritje e James ishte edhe ajo për asistimet. Lideri i Lakers ka marrë vendin e 10 në renditjen e të gjitha kohërave me 8 584 asiste, teksa nga lojtarët aktivë vetëm Chris Paul i Houston Rockets ka bërë më mirë me 9 050. Por këto arritje të James nuk po e ndihmojnë aspak Los Angeles Lakers të bëjnë mirë. Një nga skaudrat më legjendare të NBA për momentin renditet jashtë zonës ‘play-off’, në vendin e 11. Teksa janë luajtur 65 ndeshje deri më tani, kalifornianët do ta kenë shumë të vështirë të përmbysin situatën, çfarë do të ishte vetëm hera e tretë që James do të mungonte në fazën finale të sezonit. Më parë diçka e tillë ka ndodhur vetëm 2 herë, në vitet e tij debutuese në elitën e basketbollit amerikan.