Leipzig bllokon Manchester Cityn, mbyllet pa fitues ndeshja në tokën gjermane

Sport

Leipzig bllokon Manchester Cityn. Ndonëse konsideroheshin si më të favorizuar ndaj skuadrës gjermane, dueli i parë i raundit të 1/8-tave ka prodhuar surprizë. Ndeshja e vajtjes, e luajtur “RB Arena” u mbyll me rezultatin 1-1.

Në fakt, ishte City që kaloi në avantazh në minutën e 27-të me anë të Riad Mahrez. Anësori i sulmit u bë lojtari i 5-të afrikan që shënon të paktën 20 gola në Champions League, pas Mohamed Salah dhe Didier Drogba me nga 44 gola, Samuel Eto’o me 30 dhe Sadio Mane me 27.

Pas finalizimit të Mahrez, u krijua përshtypja sikur në vijim gjithçka do bëhej më e thjeshtë për Cityn, mirëpo të zotët e shtëpisë nuk ishin të këtij mendimi. Me rikthimin në fushë në fraksioni e dytë, Leipzig u përgjigj me anë të mbrojtësit Josko Gvardiol, duke e barazuar sfidën, me rezultatin që më pas mbeti i pandryshuar deri në fërshëllimën e fundit.

Kjo ishte një sfidë, në të cilën, trajneri i anglezëve, Pep Guadriola, nuk e pa të arsyeshme të kryente asnjë zëvendësim, por i besoi gjatë gjithë ndeshjes formacionit titullar. Nuk ndodhte që prej 2018-tës që një skuadër të mos kryente asnjë zëvendësim në Champions League, atëherë kur Manchester United e bënte diçka të tillë përballë Juventusit.

Gjithashtu, me mbylljen e dueleve të vajtjes së raundit të 1/8-tave, vlen të përmendet se asnjë skuadër angleze nuk arriti të fitonte dot, përmendim këtu humbjen e Tottenham, Chelsea, apo edhe Liverpool.

Megjithatë, ndodhemi vetëm në gjysmë të rrugës së 1/8-tave dhe kualifkimi do vendoset në ndeshjet e kthimit. Manchester City-Leipzig do luhet në 14 Mars, atëherë kur do të mësojmë se cila prej skuadrave do kualifikohet në çerekfinale të Champions League.