Real-Atletico, Mirabelli i Milanit do shohë nga afër Moratan dhe Kovacic

Sport

2213

Derbi i Evropës mes Realit dhe Atleticos do të ndiqet nga afër edhe nga menaxherë dhe drejtues futbolli sikurse Massimiliano Mirabelli i Milanit. Shtypi italian ka raportuar se Drejtori Sportiv i kuqezinjëve ka vendosur ta shohë nga afër super-sfidën e gjysmë-finales së Champions League-ës, me synimin për të vëzhguar dy yje të Realit, Alvaro Moratan dhe Mateo Kovacic. Të dy lojtarët në fjalë, të cilët kanë përvojë në Serie-A, shihen si potenciale të merkatos së verës dhe sipas të gjitha gjasave, kjo vizitë në Bernabeu nuk do jetë pa kontakte apo bisedime. Sipas raportimeve në Itali, javët e fundit Mirabelli ka pasur kontakte me agjentin e Moratas, Juanma Lopez. Thuhet se Drejtori Sportiv i ka bërë me dije atij projektin e së ardhmes që ka në plan Milani. Ndërkohë situata me Moratan dihet tashmë. Spanjolli 24-vjecar kërkon një skuadër që t’i japë atij rolin e titullarit në sulm. Te Reali i Madridit ai e kërkoi rikthimin me idenë se atje do të gjente këtë mundësi, gjë që nuk ka rezultuar e tillë. Për sa i përket Kovacicit, kroati është një kërkesë e vetë Montellas, i cili thuhet se e njeh prej kohësh dhe emrin e tij ia ka kërkuar drejtuesve që në kohën e Gallianit, verën e kaluar. Ish-mesfushori i Interit, sipas raportimeve në Spanjë, nuk shihet si titullar nga Zinedine Zidane. Francezi thuhet se nuk është bindur kurrë për ta pasur në qendër të projektit të tij në Bernabeu. Pikërisht këtë situatë po kërkon ta njohë më mirë Mirabelli, i cili me fondet që pritet të vijnë nga Kina, pse jo mund të arrijë dicka, të paktën për njërin nga dy yjet e Realit.