Leonardo Jardim luan shansin e tij të fundit përballë Dortmund

Sport

jardim
Leonardo Jardim është pranë shkarkimit nga detyra si trajner i Monacos. Skuadra nga principata po kalon një nga nisjet më të këqija të historisë së saj, pasi nuk fiton prej 8 ndeshjesh radhazi në të gjitha kompeticionet. Në fakt, në ‘Ligue 1’, të besuarit e trajnerit Jardim kanë fituar vetëm 1 ndeshje, takimin debutues të këtij sezoni përballë Nantes.  Në ‘Champions League’, dështoi të ruante avantazhin ndaj Atletico Madrid në sfidën e parë të grupit A, me spanjollët që përmbysën rezultatin brenda pjesës së parë. Kështu është mëse e kuptueshme se pozicioni i trajnerit Jardim tashmë nuk është më i sigurtë. Madje në Francë thuhet se në sfidën ndaj Borussia Dortmund në arenën evropiane, tekniku 44-vjeçar luan me gjasa shansin e tij të fundit për të rifituar sadopak besimin e drejtuesve të klubit. Ndaj skuadrës gjermane, Jardim ka kujtime të mira.

Leonardo Jardim sous les couleurs de lAS Monaco en 2017

Monaco dhe Dortmund janë vënë përballë njëra-tjetrës edhe ne sezonin 2016-2017 të ‘Champions League’. Trajneri portugez e udhëhiqte skuadrën drejt 2 fitoreve në të dyja fushat, por në organikën e skuadrës në atë kohë, veç Falcaos, kishte edhe Mbappe Lottin, Bernardo Silva apo Thomas Lemar. Ndërkohë krejt ndryshe shkojnë gjërat për Dortmund, që duket se kanë gjetur rrugën e ringritjes. Afrimet e reja në skuadër si Paco Alcacer apo i riu Sancho kanë dhuruar performanca mjaft të mira, çfarë e kanë ngjitur skuadrën gjermane në krye të kampionatit gjerman. Për më tepër, verdhezinjtë e drejtuar nga Lucien Favre ende nuk njohin humbjen në këtë sezon, çfarë përballë Monacos, i bën të vijnë si favoritë absolut.