Lewandowski flet për kalimin e dështuar tek Real Madrid

Sport

Robert Lewandowski është absolutisht një nga lojtarët më në formë të momentit. Sulmuesi polak festoi titullin kampion me Bayern në Gjermani, teksa e mbylli ‘Bundesligën’ si golashënuesi më i mirë për të tretin vit radhazi, pasi realizoi plot 34 gola. Por sulmuesi i skuadrës bavareze ka qenë shpesh pjesë e spekulimeve të merkatos, ku disa vite më parë është përfolur se do të transferohej tek Real Madrid. Pikërisht këtyre spekulimeve u është rikthyer në intervistën e tij të fundit vetë polaku, i cili gjithësesi nuk ka zbuluar shumë rreth prapaskenave të asaj merkatoje. Lewandowski u shpreh se ishte vënë në dijeni për interesimin e Real Madrid, por kishte vendosur të qëndronte tek Bayern, pasi ndihej mirë në radhët e kampionëve të Gjermanisë dhe ishte përshtatur në mënyrë të përkryer. I pyetur nëse është penduar që nuk kaloi tek Real Madrid, Lewandowski ishte i qartë në përgjigjen e tij.

“Nuk jam penduar asnjëherë. Tek Bayern kam patur çdo gjë që kam kërkuar dhe i kam kompletuar objektivat që kam patur. Të jem pjesë e historisë së Bayern për mua është diçka e madhe”.

Gjatë këtij sezoni, Lewandowski është kthyer në liderin e skuadrës bavarez. Në total, në të gjitha kompeticionet, sulmuesi polak numëron 42 ndeshje të zhvilluara, me plot 49 gola, teksa Bayern vijon rrugëtimin si skuadra favorite në ‘Champions League’. Njësoj si në ‘Bundesligë’, edhe në ‘Champions’, Lewandowski është për momentin golashënuesi më i mirë, me 11 gola të shënuar deri më tani.