Liverpool, Henderson thotë se do të jetë e çuditshme të fitojnë titullin pa tifozët

Sport

Pas thuajse 30 vitesh, Liverpool mund të arrijë titullin kampion në Angli, por kjo gjë duket se do të ndodhë pa festën e tifozëve të ‘the reds’, të cilët e kanë pritur shumë gjatë momentin në fjalë. Kapiteni i skuadrës nga Merseyside, Jordan Henderson pranoi se për të dhe të gjithë pjesën tjetër të ekipit, do të jetë shumë e çuditshme të fitojë trofeun e ‘Premier League’-ës, pa festuar me tifozët e tyre. 29-vjeçari u shpreh se titulli është diçka e madhe për tifozët e Liverpool dhe fakti që ata do të mungojnë në momentin e ngritjes së trofeut do të sjellë një ndjesi aspak të mirë brenda ekipit. Megjithatë, Henderson siguroi se nëse gjërat shkojnë si duhet dhe Liverpool do të shpallet kampion, atëherë në sfidën e parë që tifozët do të lejohen të hynë në stadiumin ‘Anfield’, skuadra do të planifikojë një festim së bashku me tribunat. Por deri atëherë, kapiteni i ‘the reds’ kërkojë përqëndrim maksimal në fushën e lojës. Sapo të rikthehen tek futbolli i luajtur, Henderson kërkon nga shokët e skuadrës të luajnë me të njëjtin ritëm si gjatë gjithë sezonit. Liverpool-it i nevojiten gjashtë pikë për t’u shpallur matematikisht skuadra kampione e Anglisë. Një mision ky shumë i lehtë në letër për t’u arritur nga ana e ekipit të Jurgen Klopp, duke qenë se kanë edhe 9 ndeshje në dispozicion. Sa i përket ‘Champions League’-ës, eleminimi nga Atletico Madrid është një goditje që nuk ka kaluar lehtë në kampin e ‘the reds’, por që Henderson thotë se nëse kompletohet arritja e titullit në ‘Premier’, humbja ndaj skuadrës së Simeones do të mbetet thjesht një kujtim jo i bukur për këtë sezon.