Liverpool kërkon të shpërblejë Klopp me një kontratë të re pas triumfit në ‘Champions’!

Sport

Jurgen Klopp më në fund arriti të triumfojë në një finale të madhe europiane, teksa Liverpooli i tij mposhti 2-0 Tottenhamin në mbrëmjen e fundit të sezonit në ‘Champions League’. Puna e teknikut gjerman është shpërblyer me trofeun më të rëndësishëm për klube në kontinent, njësoj siç është shpërblyer edhe besimi i vazhdueshëm për trajnerin Jurgen Klopp nga ana e drejtuesve të klubit anglez. Këta të fundit, duket se kanë marrë vendimin për të surprizuar teknikun 51-vjeçar me një kontratë të re. Sipas asaj që raportohet në mediat angleze, Liverpool-i do t’i paraqesë Klopp një rinovim kontrate, ku do të ketë një rritje të ndjeshmë page. ‘Daily Mail’ konfirmon se paga e re e gjermanit do të jetë rreth 11 milionë euro, ndërsa nuk bëhet me dije nëse do të ketë shtyje të kohëzgjatjes së bashkëpunimit apo jo.

Aktualisht, Jurgen Klopp ka një kontratë që zgjat edhe 3 vite të tjera, nga e cila tekniku gjerman përfiton rreth 8 milionë euro në sezon. Drejtuesit e Liverpool kërkojnë të rrisin pagën e trajnerit të tyre, në mënyrë që të mos lejojnë largimin e tij nga drejtimi i skuadrës. Pas ‘Champions League’-ës, Liverpool-i duket se synon të rikthehet pas shumë vitesh edhe tek suksesi në kampionatin anglez, aty ku sezonin e fundit pati një duel të ashpër deri në fund me Manchester City-n. Klopp duket të jetë njeriu i duhur për të arritur edhe këtë objektiv, ndërsa garancia që vjen nga drejtuesit e klubit, janë edhe plotësimi i kërkesave të trajnerit në merkaton e kësaj vere.