Liverpool largon Balotelin

Sport

952226
Te Liverpool nuk ka më vend për Balotellin. Tashmë është shumë i qartë mesazhi i trajnerit Brendan Rodgers. Sulmuesi është lënë jashtë skuadrës edhe për dy ndeshjet miqësore që “Reds”-at do të diskutojnë ndaj Helsinkit dhe Swindon Town-it. Pasi nuk u grumbullua as për turnetë e Tailandës, Malajzisë dhe Australisë, 24-vjeçari duket se i ka prishur të gjitha marrëdhëniet me teknikun Rodgers.
Ish-sulmuesi i Milanit, prej kohësh është në merkato, por nuk po gjen dot një skuadër tjetër, duke rrezikuar kështu që të kalojë një tjetër sezon në hije. Paga e lartë që ai merr te Liverpool duket se është problemi kryesor se përse klube të tjera, sikurse Sampdoria apo Bologna, nuk bëjnë përpara për Balotellin.
Te Liverpool, Mario u transferua vitin e kaluar, për shifrat e 20 milionë eurove. Nga Milani, ku kishte një rendiment të knaqshëm, rikthimi në Angli qe tejet negativ. Në një sezon ka luajtur vetëm 28 ndeshje, në të cilat ka shënuar vetëm 4 herë.
Dikur përshkruhej si një supertalent me një të ardhme të ndrritur, ndërkohë që tanimë nuk gjen dot as një skuadër që t’i garantojë formacionin.