Trajneri i Interit nuk rrezikon të shkarkohet nga detyra

Sport

Simone Inzaghi nuk rrezikon të shkarkohet nga Interi. Sezoni i luhatshëm i zikaltërve në Serie A, me 7 humbje të pësuara në 24 javë, thuajse i ka nxjerrë ata jashtë garës për titullin kampion. Ndonëse Interi renditet në vend të dytë, Napoli kryesues është shumë larg, kryeson me 65 pikë, 18 më tepër sesa Interi.

Në kushte si këto, jo të paktë janë zërat që e kanë marrë në kosnderatë shkarkimin e Inzaghit nga 19 herë kampionët e Italisë. Megjithatë, drejtuesit e Interit e shohin tërësisht me tjetër sy këtë situatë. Drejtori i Përgjithshëm i klubit, Giuseppe Marotta është shprehur se shoqëria zikaltër nuk e ka humbur për asnjë moment besimin tek tekniku dhe ai do vazhdojë të jetë në krye të skuadrës.

“Inzaghi është një trajner shumë i mirë, është i ri dhe mjaft i përgatitur. Ai ka besimin e klubit, diçka që nuk i ka munguar asnjëherë”, janë disa nga fjalët e Marottas. Kontrata aktuale e Simone Inzaghit me Interin skadon në verën e 2024-tës.

Më tej, Marotta ka komentuar edhe situatën e sulmuesit Romelu Lukaku, të cilit i përfundon huazimi në fund të sezonit me Interin dhe e ardhmja e tij mbetet e mistershme. Në lidhje me një situatë të tillë, Marotta është shprehur se në mbyllje të këtij sezoni, Lukaku do rikthehet tek Chelsea, por shumë shpejt, Interi do nisë bisedimet me Chelsean, për ta marrë edhe për një tjetër edicion në huazim lojtarin belg, dëshira e të cilit është të mbetet pjesë e organikës zikaltër.