Luçiano Spalletti (trajner i Napolit)

Sport

“Ndeshje si kjo e mbrëmjes së sotme, ndonjëherë ndikohen shumë nga niveli emocional dhe karakteri që tregohet në fushën e lojës. Por, sonte e di se skuadra ime, do të bëjë gjithçka për të qenë më mirë sesa Milani. Padyshim që na pret një sfidë e vështirë dhe 15 ditë më parë, ne nuk u treguam dot më të fortë. Megjithatë, ajo humbje nuk na ka bërë më të dobët. Sonte do të luajmë për të ardhmen tonë dhe për këtë jemi gati.

Osimhen? Forca e vërtetë e një skuadre, nuk varet nga komponentët e saj, por nga uniteti dhe kohezioni. Ne luajmë një futboll të njëjtë, pavarësisht se kush është në fushën e lojës dhe kush jo. Kemi treguar se mund të fitojmë ndeshje të rëndësishme edhe pa Osimhen. Ai që zbret në fushën e lojës, duhet të jetë i mbushur me vetëbesim dhe atë ta trasmetojë tek shokët e skuadrës.

Faktori fushë? Mendoj se ajo që i bën skuadrat të forta, është puna konstante. Duhet të zotërosh një mentalitet të tillë, që të mos e bësh dallimin se cila fushë është më e mirë dhe cila jo. Pavarësisht se ku luan, apo kundërshtarit që ndodhet përballë, synimi duhet të jetë gjithmonë marrja e rezultateve pozitive.

Nëse mendoni se një ndeshje kampionati mes Milanit dhe Napolit, është në interes vetëm për tifozët e këtyre skuadrave, atëherë një përplasje në Champions League, është një interes për tifozët në të gjithë botën. Lojtarët e vuajnë një gjë të tillë, ndoshta edhe në mënyrë të pavullnetshme. Për këtë arsye, duhet të zotërosh një mentalitet kampioni.

A është kjo ndeshja më e rëndësishme në karrierën time? Shpresoj që në vijimësi të ketë edhe më të rëndësishme sesa kjo. Jemi në një pikë kulmore të karrierës dhe këtu e kam fjalën si për vete, ashtu edhe për lojtarët. Duhet të shfaqim dëshirë dhe entuziazëm, duke marrë parasysh se nga e nisëm.

Kur luan në Champions League, mund të shkosh në stadiume, ku trysnia është shumë e lartë, por ne kemi treguar se mund të bëjmë mirë edhe në të tilla nivele. Këtë do përpiqemi ta shfaqim edhe sonte.”