Luka Doncic shkatërron Golden State dhe thyen rekorde

Sport

Ai u transferua verën e 2018-ës nga Real Madrid tek Dallas Mavericks, si premtimi i madh që vinte nga basketbolli europian. Një vit më pas, Luka Doncic është kthyer në kryefjalën e NBA, teksa po mahnit me paraqitjet si lideri i skuadrës teksane. Talenti slloven realizoi një ‘triple-double’ në fitoren kundër San Antonio Spurs, Doncic theu rekordin personal sa i përket shënimit të pikëve, pasi veç 12 asistimeve dhe 11 rikuperime të topit nën tabelë, shënoi plot 42 pikë. Por Doncic ishte rezervuar për të thyer të tjera rekorde, duke shkatërruar thuajse i vetëm skuadrën e Golden State Warriors. Ndëshja përfundoi me një avantazh prej 48 pikësh, për rezultatin 142-94, që është një nga humbjet më të mëdha të Golden State në vitet e fundit, ndonëse trajneri Steve Kerr mund të justifikohet me mungesat e rëndësishme të Steph Curry dhe Klay Thompson.


Doncic shënoi 35 pikë, 11 asiste dhe 10 rikuperime të topit nën tabelë, ku ishte i skatë në plot 6 goditje për 3 pikë, në 10 tentativa të tij në total. Ai u bë i pari lojtar në historinë e NBA që kompleton një ‘triple-double’ me 35 pikë për më pak se 25 minuta. Slloveni arriti shifra të jashtëzakonshme që në periodën e parë, ku ishte lojtari që numëronte më shumë pikë, asiste dhe rikuperime të topit nën tabelë, diçka që për herë të fundit është realizuar nga legjenda Allen Iverson në 19 shkurt të vitit 2003. Në periodën e parë, Doncic shënoi 22 pikë, ndërsa deri në fundin e pjesës së parë të lojës numëronte 30 pikë. Sa i përket ‘triple-double’-it, atij i mjaftuan vetëm 3 perioda për ta kompletuar. Në moshën 20 vjeç e 265 ditë, talenti i Dallas Mavericks u bë lojtari më i ri në historinë e NBA që realizon 2 ‘triple-double’ radhazi me 35 ose më shumë pikë të shënuara. Në fakt që nga viti 1983, ai është vetëm lojtari i katërt që e bën këtë gjë. Më parë, diçka të tillë e kanë realizuar Michael Jordan, James Harden dhe Russell Westbrook. Doncic u bë gjithashtu lojtari i pestë në histornë e basketbollit amerikan që shënon 300 pikë, 100 asiste dhe 100 rikuperime të topit nën tabelë në 10 ndeshje, duke listuar veten krah emrave si LeBron James, Russell Westbrook, Michael Jordan dhe Oscar Robertson.