Manchester City në gjysmëfinale, aty ku e pret Real Madrid

Sport

Manchester City dhe Real Madrid premtojnë një tjetër përplasje spektakolare në gjysmëfinale të UEFA Champions League. Ashtu sikurse një vit më parë, dy skuadrat në fjalë do sfidohen edhe një herë tjetër mes tyre, me synimin për të shkuar në finalen e Stambollit e për të ngritur lart në qiell, trofeun më prestigjoz të futbollit të klubeve.

Pas Los Blancos e siguruan biletën të martën mbrëma ndaj Chelsea, të mërkurën, ishta radha e Cityzens, të cilët, e bënë një gjë të tillë ndaj Bayern Munich. Fitorja 3-0 e aktit të parë në shtëpi, ia bëri punën më të lehtë Cityt në sfidën e kthimit në tokën gjermane, aty ku 90 minutëshi i luajtur u mbyll me shifrat 1-1.

Pasi e humbi një penallti në pjesën e parë, në të dytën, Erling Haaland do të korigjonte gabimin e tij në minutën e 57-të, duke dërguar në rrjetë, një passim të marrë nga Kevin De Bruyne. Ky ishte asistimi i 23-të sezonal i De Bruynes këtë edicion futbollistik, statistika më e mirë e belgut në rrafshin personal përgjatë karrierës së tij me Cityn. Këtë sezon, De Bruyne është gjithashtu asistuesi më i mirë në 5 ligat kryesore të kontinentit, duke lënë pas Lionel Messin me 18.

Më tej, ndonëse kualifikimi ishte i pamundur, Bayerni kërkoi një gol nderi dhe atë e gjeti në të 83-tën nga pika e bardhë me anë të Joshua Kimich. Në harkun e pak ditëve, bavarezët e kanë parë veten përballë disa rezultateve negative, duke u rrëzuar atyre, ëndrrat e një sezoni, të mbushur me plot pritshmëri.

Nga ana tjetër, Manchester City shkon në gjysmëfinale të Champions League, për herë të 3-të radhazi, duke u bërë në këtë mënyrë skuadra e 3-të angleze që e arrin një statistikë të tillë. Më herët, diçka të ngjashme e kanë bërë Chelsea dhe Manchester United.

Akti i parë i përballjes Real Madrid-Manchester City do të luhet në 9 Maj në “Santiago Bernabeu”, kurse ai i kthimit në tokën angleze, në 17 Maj.