Manchester United interesohet për transferimin e Kai Havertz

Sport

Skuadra e Manchester United nuk e kanë nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Tifozët, por edhe shumë ish-lojtarë të ‘djajve të kuq’ nuk janë të kënaqur me lojën e ekipit të drejtuar nga Solskjaer. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit anglez do të lëvizin sërish në merkaton e janarit, ku synojnë afrimin e një mesfushori të ri e me potencial, por që mund të bëjë edhe diferencën në shumë aspekte. Me Nemanja Matic që pritet të largohet, duke qenë se nuk është në planet e trajnerit norvegjez, do të krijoheshin edhe disa mundësi ekonomike për të shtyrë me shumë në afrimin e një lojtari cilësor. Mediat angleze flasin se tashmë, prioritet për Manchester United është bërë një tjetër talent që luan në ‘Bundesliga’. Nuk bëhet fjalë për Jadon Sancho të Dortmund, por për Kai Havertz të Bayer Leverkusen.

Talenti gjerman u listua mes 3 futbollistëve më premtues të vitit dhe shihet si një yll i së ardhmes. Ndonëse vetëm 20-vjeçar, tek Leverkusen ai ka qenë një lider i vërtetë, duke rikthyer skuadrën në ‘Champions League’. Mirëpo çmimi që kërkon klubi gjerman për Havertz është i lartë. Për nisur negociatat për kartonin e mesfushorit, nevojiten të paktën 100 milionë euro, por duke parë faktin që për të interesohen edhe skuadra të tjera, si Manchester City apo Liverpool, ky çmim do të vijojë të rritet. United është vënë në dijeni nga Leverkusen rreth kërkesave të tyre për të lejuar lojtarin të tranferohet në Angli, por mbetet për t’u parë në javët në vazhdim nëse do të ketë një lëvizje konkrete.