Manchester United po përgatit ofertë të majme për Vinicius Junior

Sport

Manchester United ka gati një ofertë prej 150 milionë eurosh për Vinicius Junior. Ky është lajmi më i freskët në lidhje me 20 herë kampionët e Anglisë, të cilët, në merkaton verore të këtij viti, po bëhen gati që të thyejnë sërish bankën, duke tentuar një tjetër transferim të bujshëm.

Vinicius, mund të konsiderohet i paprekshëm për Los Blancos, mirëpo nuk mund të jetë kështu kur bëhet fjalë për Kylian Mbappe. Mediat ndërkombëtare raportojnë se Reali dhe Mbappe kanë bërë një pak së bashku dhe në verë, lojtari do të transferohet me parametra zero në Santiago Bernabeu.

Ardhja e Mbappe do të eklipsonte shkëlqimin e Vinicius, për më tepër që të dy futbollistët në fjalë, luajnë në të njëjtin pozicion. E në mënyrë që Mbappe të ketë hapësirën e tij të nevojshme në Bernabeu, Vinicius mund të jetë pikërisht elementi që mund të sakrifikohet nga drejtuesit e klubit.

Thënë këtë, në fundin e këtij sezoni futbollistik, Reali mund të jetë i hapur për të dëgjuar oferta për yllin brazilian. Në këtë panoramë, një situatë të tillë e ka nuhatur Manchester United dhe thënë këtë, djajtë e kuq, po përpilojnë një ofertë të majme në drejtim të 14 herë kampionëve të Europës.

Bëhet fjalë për 150 milionë euro, që nëse do të ndodhte, do ta bënte Viniciusin lojtarin më të shtrenjtë të shitur në histori nga Real Madrid, dhe njëkohësisht blerjen më të shtrenjtë në historinë e United dhe të Premier League.

Një tjetër çështje që mund ta shtyjë Realin për të shitur Viniciusinm është edhe karakteri i tij i ndërlikuar, që nuk shkon paralel me imazhin e klubit. Jo pak herë, braziliani është kthyer në object diskutimi jo për futbollin, kështu që kjo gjë ka nisur t’i bezdisë drejtuesit madrilenë.

Megjithatë, Vinicius mbetet padyshim një prej lojtarëve kyç të Realit dhe këtë gjë e tregoi në ndeshjen e fundit, teksa arriti të shënonte 3 gola në finalen e Superkupës ndaj Barcelonës. Kurse nga ana tjetër, Manchester United është duke menduar gjithashtu për të tjera alternative për të përforcuar skuadrën në merkaton e verës.