Messi dhuron spektakël, PSG fiton vetëm me një gol

Sport

mesiisiiss

Në prag të sfidës së kthimit me PSG, Barcelona kreu një provë gjenerale duke mundur 5-0 Celta Vigon në Camp Nou. Lionel Messi u shfaq i jashtëzakonshëm duke zhvilluar një lojë fantastike. Argjentinasi zhbllokoi takimin në minutën e 24-ët me një gol brilant duke dribluar disa kundërshtarë radhazi. Ai e festoi duke bërë me shenjë telefoni për nga i vëllai, Rodrigo i cili gjendej në stadium, duke ia kushtuar golin nipit 9-vjecar Agustin, i cili përshkruhet gjithashtu si një talent i Barçës. Messi më pas asistoi Neymarin, i cili shënoi me një parabolë. Në pjesën tjetër, Rakitic i coi shifrat në 3-0 ndërsa po Messi asistoi edhe Umtitin në golin e katërt. Më pas ishte radha për një tjetër gol personal për t’i mbyllur shifrat në 5-0, fiks aq sa duhen t’i shënohen PSG më 8 mars për t’u kualifikuar në Champions League. Edhe pse Luis Enrique është shprehur mosbesues në këtë objektiv, atmosfera në Camp Nou është shpresëdhënëse. Ndërkohë për sa i përket francezëve, skuadra e Unai Emery e pati të vështirë përballjen me Nancy, por arriti t’ia dalë falë një goli të Edinson Cavanit. Uruguaiani shënoi një penallti në minutën e 80-të duke i dhënë të tijëve fitoren e 19-të sezonale, që i mban të dytët në Ligue-1. Për Cavanin ky ishte goli i 37-të në 36 ndeshje të luajtura. Padyshim shifra të frikshme që e mbajnë me goxha pritshmëri për spektakël edhe sfidën e kthimit në Champions League.