Messi drejt largimit nga PSG, klubi ka gjetur pasuesin e tij

Sport

Largimi i Lionel Messit këtë verë nga PSG duket i pashmangshëm, megjithatë, klubi francez e ka gati zëvendësuesin e tij. Mediat e huaja, por në veçanti ato në ishull, raportojnë se kampionët e Ligue 1 kanë piketuar Bernardo Silvën e Manchester Cityt.

Portugezi ka qenë i lidhur me Parisin edhe disa vite më parë, atëherë kur ishte pjesë e Monacos, mirëpo transferimi nuk u kompletua për shkak të një ngërçi financiar të parizienëve. Sidoqoftë, këta të fundit e kanë kthyer edhe një herë tjetër vëmndjen nga 28 vjeçari i Cityt, që ka ende edhe dy vite të tjera kontratë me qytetarët, të cilët, janë vetëm disa ndeshje larg një ëndrre të madhe, triumfit të tripletës së famshme.

Vetë Bernardo Silva është shprehur herë pas here se do të donte të provonte një tjetër aventurë në karrierën e tij dhe kësisoj, nuk përjashtohet mundësia që ky të jetë sezoni i tij i fundit që luan me fanellën e Bluve të Manchesterit.

Mbetet për t’u parë se ç’do të rezervojë merkatoja e verës, ndërsa nga ana tjetër, Pep Guardiola e ka shprehur hapur dëshirën e tij për ta mbajtur Silvën pjesë të skuadrës, pasi ai është shumë i rëndësishëm për skemat e tij të lojës. Megjithatë, Pep ka thënë gjithashtu se në ekip asnjë lojtar nuk mund të qëndojë me detyrim. Kush ka dëshirë të lardohet, mund të largohet.

Bernardo Silva është pjesë e Manchester Cityt që prej verës së 2017-tës, e prej atëherë ka luajtur 302 ndeshje në të gjitha kompeticionet, e duke dhënë një kontribut prej 53 golash e 58 asistesh. Epoka e tij në Etihad mund të konsiderohet e suksesshme, pasi ndër të tjera ka fituar 4 tituj kampionë dhe është shumë pranë të 5-tit.