Mkhitaryan prezantohet si ‘topçi’: E kisha ëndërruar…

Sport

Henrik Mkhitaryan

Pas zyrtarizimit të Alexis Sanchez me Manchester United, edhe Arsenal ka prezantuar Henrik Mkhitaryan, lojtarin e marrë në këmbim nga “Djajtë e kuq”. Armeni është bashkuar tashmë me skuadrën e Arsen Venger, ku ka firmosur një kontratë prej 3 vjetësh e gjysmë. Gjithashtu, Mkhitaryan ka shprehur edhe fjalët e para si futbollist i Arsenalit, duke thënë se veshja e fanelës së “Topçinjve” është një ëndërr e bërë realitet, pasi gjithnjë ka dashur të luajë për këtë skuadër. “Gjithmonë kam ëndërruar të luaj për Arsenalin. E tani që gjendem këtu, do të jap më të mirën time për këtë skuadër, me synimin e vetëm për të bërë histori”, deklaroi Mkhitaryan për faqen e klubit.
Mirëseardhjen ia ka uruar edhe trajneri Arsen Venger. Ai nuk i ka kursyer elozhet për lojtarin e Kombëtares së Armenisë që të dielën mbushi 29 vjeç: “Henrikh është futbollist i kompletuar dhe I aftë për të krijuar raste, për të mbrojtur, si për të vrapuar në distance të mëdha. Më duhet të them se ai është futbollist me të gjithë atributet që na duhej vërtet”, ka thënë Venger, i cili ndër të tjera ka pranuar interesimin për Aubamejang, por ka lënë çdo gjë të hapur mbi një marrëveshje të mundshme.
Sa i takon debutimit me fanelën e re, Mkhitaryan – ndryshe nga Sanchez që pritet të zbresë në fushë të premten për ndeshjen e Kupës -, duhet të presë të paktën një javë për t’u aktivizuar në radhët e Arsenalit. Premiera e tij me londinezët do të vijë në ndeshjen e Premier League, të martën më 30 janar kundër Suonsi.