Modric lavdëron Mbappen, por e shtyn të largohet nga PSG për të dominuar

Sport

Kylian Mbappe cilësohet gjerësisht si talenti më i madh që ka aktualisht bota e futbollit. Kampioni i botës me Francën ka treguar gjatë dy sezoneve të fundit se i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë më i miri i brezit të tij, ndonëse ëndrra ‘Champions League’ tek PSG vijon ta përndjekë edhe atë si të gjithë pjesën tjetër të skuadrës. Lavdërimet për Mbappe nuk i ka kursyer edhe mesfushori i Real Madrid, Luka Modric, i cili u shpreh se francezi ka një potencial të ngjashëm me atë yjeve më të mëdhenj të këtij sporti, ndaj dhe mund të dominojë futbollin europian dhe atë botëror. Megjithatë, kroati mendon se për të rritur dominimin e tij, Mbappe duhet të braktisë vendlindjen. Modric mendon se ylli francez duhet të largohet nga Franca, nëse dëshiron të rrisë në nivelet më të larta lojën e tij, pasi për një lojtar si Mbappe, është e nevojshme të luajë në një kampionat ku mund të gjejë më shumë konkurencë. I pyetur rreth spekulimeve se Mbappe mund të transferohet tek Real Madrid në të ardhmen, Modric u përgjigj se nuk di asgjë rreth këtyre raportimeve, por siguroi se nëse sulmuesi francez vjen tek një skuadër si ‘los blancos’, do të ketë shansin për t’u bërë më i miri në botë. Luka Modric do të mbushë 35 vjeç në shtatorin e ardhshëm, por fituesi i ‘Topit të Artë’ në vitin 2018, deklaroi se nuk ka ndërmend të ndalet dhe se synon të luajë në nivele të larta edhe për të paktën 2 sezone të tjera. Kroati shprehu dëshirën për ta mbyllur karrierën e tij tek Real Madrid, megjithatë, pranoi se diçka e tillë do të varet edhe nga dëshira e vetë klubit. Sa i përket Milanit, skuadrës së cilën Modric e ka pranuar se ka mbështetur gjithnjë, veterani tha se ka qenë shumë i lidhur me figurën e Boban dhe se nëse do të vendoset një largim nga Reali, kuqezinjtë dhe ‘Serie A’ mund të ishin një alternativë mjaft e mirë për të.