MotoGP, Bagnaia triumfon në Mugello, Quartararo ruan kryesimin e klasifikimit

Sport

Gara për ‘Çmimin e Madh’ të Italisë në ‘MotoGP’ ka dhuruar spektakël dhe emocione, me Francesco Bagnaia që ia doli të respektonte pritshmëritë në vendlindjen e tij, duke triumfuar në një garë që nuk e nisi si favorit. Piloti i Ducati-t ia doli të lërë pas vetes kampionin e botës në fuqi, Fabio Quartararo, si dhe pilotin spanjoll të Aprilia-s, Aleix Espargaro. Bagnaia shfaqi një tjetë ritëm në krahasim me rivalët dhe në momentin më vendimtar të garës në Mugello, ia doli të vendoste një distancë sigurie me ndjekësit e tij, duke e kthyer në një mision të pamundur mbërritjen e tij nga Quartararo.

Ky i fundit gjithësesi del i kënaqur nga kjo garë, pasi me podiumin e arritur ruan vendin e parë në klasifikimin e përgjithshëm për pilotë, me 122 pikë pas 8 garave. Piloti tjetër i podiumit, Aleix Espargaro, mbetet në vend të dytë, me 114 pikë, teksa zhgënjeu Enea Bastianini, i cili nuk e mbylli dot këtë garë. Të njëjtin fat me italianin patën edhe dy pilotët e Suzuki-t, Alex Rins dhe Joan Mir, apo Pol Espargaro me Honda-n. Johan Zarco ia doli të rikuperonte në xhirot e fundit dhe e mbylli në vendin e katërt me motorrin Ducati të skuadrës ‘Pramac’, duke lënë pas vetes dyshen Marco Bezzechi e Luca Marini. 10-shja e parë u plotësua nga Brad Binder, Takaaki Nakagami, Miguel Oliveira dhe Marc Marquez, që vijon të vuajë çështjen e dëmtimeve.

Sa i përket kategorive të tjera, Sergio Garcia triumfoi në një garë të jashtëzakonshme në ‘Moto3’. Spanjolli fitoi në ‘foto-finish’ duelin me shokun e skuadrës, Izan Guevara, teksa podiumi u plotësua nga japonezi Tatsuki Suzuki. Ndërsa në ‘Moto2’, i zhgënjyeri i madh ishte Celestino Vietti, i cili u rrëzua teksa kryesonte i vetëm garën. Në fund, ai që triumfoi ishte spanjolli Pedro Acosta, me amerikanin Joe Roberts dhe japonezin Ai Ogura që mbyllën podiumin. Ky i fundit tashmë ka arritur kuotën e 108 pikëve, duke barazuar atë që prej disa javësh ishte kryesues i vetëm i klasifikimit të përgjithshëm, Celestino Vietti.