F1, Red Bull ‘përmbys’ Ferrarin; Perez fiton garën e Monakos; Leclerc jashtë podiumit

Sport

Duhej të ishte fundjava perfekte për Charles Leclerc dhe Ferrarin ajo në Monako, por askush nuk mund ta kishte imagjinuar se çfarë rezervonte fati për pilotin monegask. 24-vjeçari i skuadrës italiane nisej nga ‘pole-position’, me Carlos Sainz që po ashtu kishte lënë pas vetes dy makinat ‘Red Bull’. Reshjet e shiut komplikuan nisjen normale të garës dhe pas shumë përpjekjesh, gjithçka do të niste në ritmin e duhur.

Leclerc mbrojti pozicionin e fituar gjatë kualifikueseve dhe shfaqi një ritëm të mirë. Por ndryshimi i kushteve të motit bëri që thuajse të gjitha makinat të kryenin një ndalesë të dytë në bokse në harkun e pak xhirove, për ndryshimin e gomave. Në këtë moment, për Leclerc ndodhi katastrofa, pasi inxhinierët e Ferrari-t nuk e menaxhuan si duhet këtë situatë. Perez do të dilte në vendin e parë, me Sainz dhe Verstappen që ndiqnin.

Gara do të mbyllej pa ndonjë ndryshim të këtyre pozicioneve deri në fund, me Perez që ia del të fitojë vetëm garën e tij të tretë në karrierë dhe e bën në një nga pistat më të famshme të ‘Formula 1’. Kështu, ‘Red Bull’ ia del mbanë të bëjë surprizën dhe ‘të përmbysë’ situatën ndaj Ferrari-t, që shihej si favorite absolute pas provave zyrtare. Leclerc u desh të kënaqej me vendin e katërt, teksa 10-shja e parë u plotësua nga George Russell me Mercedes, Lando Norris me McLaren, Fernando Alonso me ‘Alpine’, Lewis Hamilton, Valtteri Bottas dhe Sebastian Vettel. Verstappen mbetet në krye të klasifikimit të përgjithshëm për pilotë, me 125 pikë, duke thelluar distancën me Charles Leclerc të vendit të dytë, që numëron 116 pikë. Por surpriza pas fitores në Monako vjen për Sergio Perez, i cili gjendet tashmë në kuotën e 110 pikëve, duke u bërë pjesë e luftës për titullin kampion.