MotoGP, Bastianini dhuron spektakël e emocione në Austin, Rins dhe Miller kënaqen me podiumin

Sport

Enea Bastianini është historia e bukur e këtij fillim sezoni në ‘MotoGP’. Piloti italian i skuadrës ‘Gresini’ ka bërë një tjetër paraqitje të jashtëzakonshme, duke triumfuar në pistën e Austin, në Teksas të Shteteve të Bashkuara, e duke marrë në këtë mënyrë edhe kryesimin e renditjes së përgjithshme për pilotë.

Piloti italian shihej si më pak favoriti nga grupi i motorëve Ducati, që mori që në fillim kryesimin e garës. Por edhe pse ka një motor më të vjetër se sa skuadra zyrtare e markës italiane, apo se ata të ‘Pramac’, Bastianini fitoi të gjitha duelet me rivalët dhe kur kishin mbetur edhe 5 xhiro nga fundi i garës, triumfoi edhe ndaj Jack Miller, që kishte kryesuar i qetë deri në ato momente. Problemet për australianin e Ducati-t zyrtar do të vijonin me një duel të ashpër me Alex Rins, me këtë të fundit që doli fitues, duke dërguar Suzukin e tij në vendin e dytë. Miller kënaqet vetëm me vendin e tretë, duke lënë pas vetes Joan Mir, Francesco Bagnaia, Marc Marquez dhe Fabio Quartararo-n.

Dy të fundit dhuruan spektakël me duelin mes tyre, që në disa momente duket se po kalonte edhe limitet. Por në një pistë aq të dashur për të, Marc Marquez shpalosi më të mirën, duke triufmuar kundrejt kampionit të botës në fuqi. Spanjolli pati një nisje shumë të vështirë me Hondan e tij, por xhiro pas xhiro, ia doli të rikuperonte, duke e mbyllur në fund në vendin e 6.

Sa i përket renditjes së përgjithshme për pilotë, Enea Bastianini udhëheq tashmë me 61 pikë, ku llogariten dy fitore në 4 ndalesat e para të sezonit. Pas tij vjen Alex Rins i Suzukit, me 56 pikë, i ndjekur nga Aleix Espargaro me 50 pikë e Joan Mir me 46. ‘MotoGP’ tashmë do të zbarkojë në Europë, aty ku pilotë si Quartararo, Marquez apo Mir pritet të rikuperojnë ndaj rivalëve, në një sezon që ka nisur në mënyrën më spektakolare të mundshme.