MotoGP, Marc Marquez fiton mes spektaklit në pistën e Assen

Sport

marquez
Një nga garat më të bukura të viteve të fundit në “MotoGP”. Po flasim për fundjavën holandeze të garës më spektakolare të motorave, në Assen, që në fund pa si fitues të saj pilotin e Hondas, Marc Marquez. Kampioni i botës në fuqi arriti të fitonte pas plot 26 xhirosh me tension e duele pafund. Në një pistë që nuk është konsideruar asnjëherë si e favorshme për Ducatin, Lorenzo dhe Dovizioso dhanë gjithçka nga potenciali i tyre për të ruajtur kryesimin. Vendet e podiumit pësuan disa herë rokadë. Pas Ducatit dhe Hondës së Marquez reaguan Yamahat e Rossi e Vinales, ndërkohë që gati për të përfituar ishin Alex Rins me Suzuki e Cal Crutchloë me Hondan satelite. Pilotët qëndruan në distanca të vogla me njëri-tjetrin, deri sa i pari që u dorëzua ishte Lorenzo.

lorenzo

Spanjolli nuk mundi të realizonte një surprizë tjetër, pasi rendimenti i Ducatit të tij ra. Marquez mori në xhirot e fundit kryesimin, për mos e lëshuar më. Dovizioso dhe Rossi dueluan ashpër mes tyre, sa u kushtoi edhe podiumin. Ata u renditën në vendet 4 dhe 5, duke përfunduar vetëm pas Rins dhe Vinales, që dhuruan spektakël e parakalime deri në kthesat e fundit. Zhgënjim total ishte sërish Dani Pedrosa që nuk bëri më mirë se vendi i 15. Marc Marquez me fitoren në Assen ka thelluar distancat në renditjen e përgjithshme për pilotë. Piloti i Hondas numëron tashmë 140 pikë, ndërsa ndjekësi i tij më i afërt, Rossi, ka grumbulluar deri më tani vetëm 99 pikë.