Tenis, Kvitova fiton për herë të tretë «Madrid Open»

Sport

Petra Kvitova

Petra Kvitova është fituesja e “Madrid Open” për vitin 2018. Tenistja çeke ia ka dalë mbanë të fitojë për herë të tretë në karrierën e saj turneun spanjoll, teksa mundi 2-1 në finale surprizën e këtij viti në këtë kompeticion, holandezen Kiki Bertens.
Ndeshja mes dy tenisteve do të ishte mjaft e luftuar, dhe Kvitova do të fitonte me shumë vështirësi setin e parë 7-6. Bertens, e cila në raundet paraardhëse eleminoi emra si Maria Sharapova apo Caroline Wozniacki, do të kundërpërgjigjej në setin e dytë 6-4. Ndërsa në setin final, Kvitova do të përfitonte nga lodhja e kundërshtares së saj, për të triumfuar 6-3 dhe për të bërë të sajën, triumfin në “Madrid Open”.
Kjo ishte finalja e tretë në këtë turne për 28-vjeçaren, e cila ka dalë si fituese në të gjitha rastet. Në 2011, Kvitova mundte 2-0 me sete bjellorusen Victoria Azarenka dhe me po të njëjtin rezultat, fitonte edhe në 2015 ndaj ruses Svetlana Kuznetsova.