Tenis; ATP: Gjermani Zverev triumfon ndaj Thiem në finalen e «Madrid Open»

Sport

Alexander Zverev

Pas shpalljes kampione për femra të Kvitovas, tek meshkujt është numri 3 i renditjes botërore të “ATP” , gjermani Alexander Zverev, i cili ia ka dalë mbanë të mposhtë austriakun Dominic Thiem dhe të shpallet fitues i “Madrid Open” për vitin 2018.
Tenisti 21-vjeçar fitoi 2-0 ndaj Thiem, me rezultatin identik 6-4 në të dyja setet. Sfida mes dy tenistëve që padyshim nuk priteshin të arrinin deri në finalen e këtij turneu, ishte mjaft e luftuar, por gjermani Zverev u tregua më i saktë se kundërshtari i tij. Për Thiem, kjo është finalja e dytë rresht e humbur në “Madrid Open”, pas humbjes po 2-0 vitin e kaluar me Rafael Nadal. Spanjolli shihej sërish si favoriti kryesor për të triumfuar, por tashmë ish-numri i botës u eleminua në çerekfinale pikërisht nga Dominic Thiem, që në një farë mënyre mori revanshin për humbjen e vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, Alexander Zverev më parë pati nxjerrë jashtë turneut spanjoll numri 9 të botës, amerikanin John Isner dhe talentin kanadez Denis Shapolapov. Ky ishte titulli i parë për Zverev në “Madrid Open” ndërkohë që ende nuk ia ka dalë të shijojë triumfin në një “Grand Slam”.