MotoGP, Marquez e pranon, nuk ngulmoi për të fituar në Brno

Sport

Marc Marquez
Marc Marquez nuk është lloji i pilotit që mund të kënaqet vetëm më podiumin, por duket se kampioni i botës tashmë është më i matur në llogaritë që bën. Në garën e Brnos, spanjolli e mbylli i treti pas dy pilotëve të Ducatit, Dovizioso dhe Lorenzo, e ndonëse nga të gjithë tifozët e “MotoGP” pritej një sulm i Marquez, një gjë e tillë nuk ndodhi. Spanjolli duket se mendon për luftën për titull, dhe një vend i tretë është i kënaqshëm për të, duke parë diferencën aktuale që spanjolli ka me ndjekësit.
Pasi ka kaluar gjysma e sezonit, Marquez nuk mund të shtyjë Hondan e tij në limite, pasi një garë pa pikë mund t’i kushtonte shumë. Ai duhet të mendoj edhe për skuadrën, pasi në luftën për konstruktorë, vetëm Marquez ndihmon me pikë skuderinë japoneze, pasi Pedrosa nuk shkëlqen më si dikur.
Sa i përket garës së Brnos, Marquez shprehet se mund të kishte arritur më shumë, por duket se konsumi i gomave po kthehet në një problem serioz edhe tek kampioni i botës në fuqi. “Më lajmëronin nga skuadra se nuk duhet të shtyja më shumë. Kisha disa shenja në anën e djathtë të gomave, që herë pas here më zhbalanconin motorin, ndaj nuk mund të rrezikoja për më tej.”
Aktualisht Marquez është 49 pikë përpara Valentino Rossit dhe 68 përpara Doviziosos, por spanjolli siguron se në garat e ardhshme do të luftojë për të fituar, për të arritur objektivin titull sa më parë të jetë e mundur.